Bunkeri Shqiptarë
Askush nuk e di saktësisht se sa bunkerë u ndërtuan nga rregjimi komunist në Shqipëri. Është e pamundur t'i numërosh sot, sepse shumë prej bunkerëve janë shkatërruar, të tjerë janë ricikluar apo ripërdorur. Numrat që përmenden shpesh janë 500,000 e madje deri në 700,000. Numri është ndoshta më afër 175 000.
Kur mbërrita në Shqipëri në 2001, vendi ende po vuante pasojat ekonomike të falimentimit të skemave piramidale të 1997-ës. Mes kaosit së jetës së përditshme, një element i përhershëm të kujtonte se gjërat dikur ishin krejt ndryshe. Vite më parë shqiptarët qeveriseshin nga një prej diktaturave komuniste më autokratike që bota kish njohur ndonjëherë. Nëpër rrugica, në fusha, buzë rrugëve dukeshin bunkerët, kujtim i ditëve kur Shqipëria ishte e izoluar dhe shqiptarët nuk e njihnin botën e përtej bunkerëve. Lajmet e kontrolluara nga diktatura komuniste u tregonin shqiptarëve se si bota e huaj përpiqej të sulmonte parajsën e tyre komuniste.
Ky vend i vogël në Ballkan që i mbijetoi pushtimeve romake, otomane dhe italiane, u detyrua të sakrifikonte për të ndërtuar mbrojten kundër forcave “imperialiste” dhe vendeve komuniste revizioniste qe i kishin devijuar doktrinës marksiste-leniniste. Për këtë arsye u ndërtuan bunkerët gjatë rregjimit komunist. Bunkerët nuk u ndërtuan për një ditë. Procesi ishte gradual dhe u desh kohë për të formuluar këtë projekt. Pas shumë përpjekjesh e grindjesh mes fraksionesh, Partia Komuniste e Shqipërisë u themelua më 8 nëntor 1941 në kryeqytet, në Tiranë. Enver Hoxha u zgjodh Sekretar dhe e mbajti partinë nën kontroll deri në vdekjen e tij në 1985.
Në 1944, Shipëria u çlirua nga pushtimi gjerman dhe Hoxha mori drejtimin e vendit duke themeluar qeverinë në Tiranë nën tutelazhin jugosllav dhe sovietik. Me vonë Hoxha i ndërpreu marrëdheniet me këta dy aleatë të rëndësishëm. Në 1948, ai ndërpreu marrëdhëniet me Jugosllavinë për shkak të frikës së aneksimit të Shqipërisë. Në 1961, kur Hrushovi adoptoi revizionizmin komunist, Hoxha ndërpreu edhe marrëdhëniet me të. Pas pushtimit sovietik te Çekosllavakisë në 1968, Shqipëria u tërhoq edhe nga Pakti i Varshavës. I mbetur i izoluar gjatë Luftës së Ftohtë, Hoxha përfitoi nga mbështetja financiare dhe politike e Republikës Popullore të Kinës, që kishte nevojë për mbështetje në Kombetet e Bashkuara (ku përfaqësohej nga Republika e Kinës ose Taivani, të cilin e zëvendësoi në 1971) dhe për një aleat në Europë. Kjo miqësi përfundoi në 1978 pas një ftohjeje graduale që filloi me vizitën e Presidentit Nixon në Bezhing në 1972 dhe ftesën për Titon për të vizituar Kinën në 1977. Hoxha besonte se sikurse sovietikët dhe jugosllavët, kinezët po anonin drejt revizionizmit. Krejt i izoluar tanimë, Hoxha i qëndroi deri në fund doktrinës marksiste-leniniste duke mbetur pa asnjë alternativë tjetër veç të përpiqej të ndërtonte një shtet që mbijetonte veç me fuqitë e tij.
Hoxha kishte krijuar kultin e tij të personalitetit dhe e qeveriste Shqipërinë si feudal. Me ndihmën e një rrjeti informatorësh dhe terrori autokratik, ai burgosi dhe vrau kundërshtarë politike dhe shtetas që i rezistuan rregjimit të tij. Pa kontakte përtej kufijve, shqiptarët u manipuluan të besojnë se mund të pushtoheshin nga momenti në moment. Fabrika në çdo qytet filluan të ndërtojnë pjesë bunkerësh çdo ditë, çdo vit prej 1976 deri në 1989. Një prej ish-punëtorëve më tregoi se fabrika e tij punonte me tre turne që pjesët e bunkerëve të prodhoheshin pa ndërprerje gjatë gjithë ditës e natës. Secili turn prodhonte pjesë të ndryshme e asnjë prej turneve nuk i dinte detajet e bunkerit që ndërtonin. Një inxhinier më tregoi se ai punonte 10 orë në ditë, çdo ditë për tetë vite për të ndërtuar bunkerët ne terren. Ai besonte në rrezikun e pushtimit të huaj dhe nevojën e ndërtimit të bunkerëve – mendimet e tij qenë të kushtëzuara nga alarmet e herëpashershme ajrore. Por kërcënimi i pushtimit dikur ishte realitet.
Anglezët dhe amerikanët ndërmorën operacione të fshehta per të rrëzuar komunistët, por edhe per t'i dhënë një kundërpërgjigje Stalinit për aneksimin e Europës Lindore. Shqipëria konsiderohej si një punë e lehtë e megjithatë përpjekjet anglo-amerikane dështuan keqazi sidomos prej përfshirjes së agjentit të dyfishtë Harold ‘Kim' Filbi. Edhe aneksimi jugosllav ishte i mundshëm pasi Stalini i pat dhënë Titos një miratim të heshtur. Shqipëria ishte e rrethuar plotësisht nga vendet e NATO-s dhe prej komunistëve revizionistë, por kur Hoxha filloi bunkerizimin e vendit në 1976, kërcënimi i pushtimit kishte kaluar tashmë. Pasuria dhe energjia e shpenzur në ndërtimin e bunkerëve ishte e jashtëzakonshme për një vend të vogël e të varfër si Shqipëria komuniste. Ky vend do të ishte ndryshe sot nëse kjo pasuri dhe energji do të ishte shpenzuar per të ndërtuar shtëpi e rrugë. I dëgjoj shpesh shqiptarët të thonë se ka aq çimento në një bunker të vogël këmbësorie sa për të ndërtuar një apartament dy-dhomësh. Është çimento e cilësisë së lartë që veç përmirësohet duke u vjetëruar. Veç një herë u përdorën bunkerët për mbrojtje ndaj shpërthimeve të artilerisë. Në mars 2008, në Gërdec, një fshat i vogël 14 kilometra larg kryeqyetit ku po çmontoheshin mbetje municionesh, ndodhi një nga shpërthimet më të mëdha të pas-luftës. Mungesa e masave paraprake të sigurisë çoi në shpërthimin e mbi 400 tonë ekspolozivi, shpërthim që u ndje në një distancë prej 100 miljesh. Banorët e këtij fshati të përgjumur u strehuan nëpër bunkerë. Sa ironike që bunkerët e Hoxhës mbrojtën vendasit nga municionet e kohës së komunizmit gati 23 vite pas vdekjes së tij.
Shumica e shqiptarëve i konsiderojnë bunkerët si të padëshiruar, por rrallë si shëmti. Ka pasur aq shumë bunkerë sa u është mësuar syri me ta sikurse londinezët janë mësuar me kabinat e kuqe telefonike apo nju-jorkezët me taksitë e verdha. Bunkerët janë bërë pjesë e jetës së tyre, ndërthurur në ekzistencën shqiptare. Shembulli më kuptimplotë i vendit që zënë bunkerët në jetën shqiptare është Piramida. Ky muzeum në formë piramide u ndërtua per të forcuar kultin e personalitetit të Hoxhës, për të ekspozuar shkrimet dhe kujtimet e tij. Sot Piramida është shtëpia e televizionit privat publik më të ndjekur. Muzeumi nuk u shndërrua dot në monumentin mashështor të ‘Atit të Kombit'. Përmendorja e vërtetë e Hoxhës janë gati gjysmë milionë bunkerë që mbuluan anembanë fushat, dominuan malet e kodrat dhe barrikuan bregdetin. Historia dëshmon se fitimtarët vendosin se si do të lexohet e shkuara. Në rastin e Shqipërisë, triumfuan shqiptarët, jo Republika Socialiste, e po këta shqiptarë do të vendosin se si do të kujtohen bunkerët e Hoxhës. Robert Hackman